Luciano Spalletti

Spalletti për ndeshjet e Grupit B ku ndodhet edhe Shqipëria: Mund të ishin këto ndeshje çerekfinalesh

Ditë më parë është hedhur shorti për grupet e Kampionatit Evropian Euro 2024, ku skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar emrat e kundërshtarëve.

Kombëtarja e Shqipërisë është shortuar në grupin e ferrit së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë nga vazo e katërt.

Ky short në këtë grup i ka lënë të gjithë të pakënaqur pas secila ndeshje do të jetë më e vështirë se tjetra.

Për këtë është i bindur edhe trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, i cili ka thënë për ‘Sky Sport’ se ndeshjet mes skuadrave të këtij grupi mund të ishin shumë mirë sfida të çerekfinaleve.

“Duke e parë këtë grup, këto mund të ishin ndeshje çerekfinalesh. Por gjithsesi, të gjitha gjërat duhen përballuar. Ne duhet të bëjmë Italinë, jemi Italia ndaj janë ndeshje që duhet t’i luajmë”, tha Spalletti.

Gjithsesi Spalletti ka thënë se asnjë kundërshtar nuk është i lumtur që ka përballë Italinë.

“Askush nuk do të jetë kurrë i kënaqur kur luan përballë Italisë. Nëse e shohim nëpërmjet syve të të tjerëve, të gjesh Italinë nga vazo e katërt si kundërshtar nuk mund të jetë diçka që i bën të lumtur”.

“Ne duhet të shkojmë atje dhe të tregojmë çfarë nivel skuadre dhe futbolli mund të dhurojmë”, deklaroi Spalletti.