Interi u eliminua këtë mesjavë nga Champions League që në fazën e grupeve pas barazimit 1-1 me PSV Eindhoven, ndërsa e ka fituar vetëm 1 ndeshje në 7 përballjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Sidoqoftë, kjo formë nuk e shqetëson trajnerin e Interit, Luciano Spalletti i cili beson se kriza e mes sezonit të kaluar nuk do të përsëritet edhe këtë stinor.

“Nerazzurët” edicionin e kaluar gjatë periudhës dhjetor-shkurt arritën vetëm një fitore në 10 ndeshje, duke mbetur shumë prapa në garën për titull në Serie A, gjersa i dhanë lamtumirën edhe Coppa Italias duke u mposhtur nga rivali i qytetit, Milani.

“Mendoj se është tjetër situatë, ju e shikoni vetëm rezultatin, mua më duhet t’i analizoj detajet e ndeshjeve dhe për mua duket tërësisht tjetër gjendje. Pas ndeshjes me PSV-në, është i rëndësishëm reagimi i skuadrës. Ne kemi treguar karakter të fortë dhe dëshirë për t’u rikthyer te fitoret. U eliminuam nga Champions League për shkak të gol diferencës, në përgjithësi besoj se skuadra ka bërë një paraqitje të mirë. Jemi të zhgënjyer por nuk mund të lejojmë të shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar në 1 vit e gjysmë. Dhomat e zhveshjes janë të mbushura me interizëm, nuk kam dyshim se do të rikthehemi në rrugën e duhur”, tha Spalletti.

Pas 15 xhirove të zhvilluara në Serie A, Interi renditet në vendin e tretë me 29 pikë, 14 më pak se lideri, Juventusi.