Spalleti paralajmëron rotacion ndaj Genoas

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti ka lëshuar një mesazh në Instagram, paraditen e djeshme, nëpërmjet të cilit ka tentuar të motivojë tifozërinë zikaltër, para ndeshjes me Genoan në një “San Siro” që pritet të mbajë më tepër se 65 mijë fansa.

“Nuk duam të jemi anti-Juventus dhe anti askush. Ne jemi Interi dhe pikat tona të referimit, janë tifozëria jonë e mrekullueshme dhe historia e këtij klubi”, shkroi Spalletti, në lidhje me komentet që cilësojnë Interin si ekipin që do të rivalizojë me Juventusin.

Më pas, në konferencën për shtyp të organizuar para ndeshjes me Genoan, Spalletti komentoi zërat mbi një afrim të mundshëm të Giuseppe Marottës te Interi, pak ditë pasi ky i fundit ka ndërprerë bashkëpunimin e tij me Juventusin.

“Për një afrim të mundshëm të Marottës, kam mësuar vetëm nëpërmjet shtypit, pasi këtu te ne, nuk flet askush. Megjithatë, ai është një person i rëndësishëm i futbollit dhe është i mirëpritur, ndonëse Interi është i mbuluar në këtë drejtim. Edhe te ne punojnë njerëz që mund t’i shërbejnë mjaft mirë Juventusit në të ardhmen, për nga përgatitja që disponojnë”, tha Spalletti.

Tekniku zikaltër vlerësoi sfidën e nesërme dhe pranoi se do të lërë pushim disa nga lojtarët që kanë luajtur më shpesh kohët e fundit, por theksoi se objektivi kryesor do të mbetet marrja e 3 pikëve.

“Ndaj Genoas do të lëmë pushim disa prej lojtarëve që kanë shpenzuar shumë energji kohën e fundit, por kjo nuk do të thotë që nuk do të synojmë fitoren, Kushdo që të luajë, do të impenjohet maksimalisht, që të marrim 3 pikët e radhës”, u shpreh trajneri i Interit.