Trajneri i Interit

Spalleti paralajmëron një rol më defensiv për Nainggolanin

Radja Nainggolan pritet të rikthehet në formacionin startues sonte përballë Barcelonës pas lëndimit në derbin kundër Milanit, ndërsa trajneri i Interit, Luciano Spalleti mund t’i besojë një pozicion të ri mesfushorit belg.

Nainggolan luajti vetëm 7 minuta në fitoren e thellë 5-0 në fundjavë ndaj Genoas, por kaq i mjaftuan ish lojtarit të Romës për të shënuar gol, i cili ishte i treti këtë sezon me fanellën e Interit.

30 vjeçari mungoi në ballafaqimin e parë ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, kurse Spalleti ka paralajmëruar ta përdorë Nainggolanin në një vend më defensiv.

“Do ta marrim një përgjigje gjatë stërvitjes, ai mund të luajë në një pozicion më defensiv ashtu siç kishte filluar karrierën. Kur i ndryshova atij pozitën me Pjanicin u krijua një rrëmujë por pastaj shumë fjalë u ndryshuan. Nainggolan nuk është trekuartist që i driblon tre veta. Ai e tregon kualitetin e tij në shpërthime, dhe është dëshira dhe forca që e bën dallimin te ai. Gjitashtu iu ndëpren lojën”, u shpreh Spalleti.

Lionel Messi është në listën e futbollistëve të ftuar te Barcelona, me katalanasit që i kanë fituar 4 ndeshjet e fundit pa yllin argjentinas. Sidoqoftë Spalleti refuzon të ndërtojë planin e ndeshjes në bazë të këtij zhvillimi.

“Është shqetësim për secilin nëse Messi luan, por qasja jonë nuk ndryshon. Duhet të jemi të mirë në leximin e ndeshjes, duhet të mbyllim hapësira dhe jo njerëz. Fillimisht duhet të mendoni për pozitat e bashkëlojtarëve e pastaj të kundërshtarëve. Por me Messin ndryshon gjithçka, ai është prej më të mirëve në botë”, theksoi Spalleti.

Interi i ka fituar 9 nga 10 ndeshjet e fundit, derisa përgatitet të përballet sonte me Barcelonën në “San Siro”.