Spalleti insiston se Interi nuk është rivali kryesor i Juventusit për titull

Fitorja 0-3 në udhëtim te Lazio e çoi në 6 numrin e fitoreve rresht të Interit në Serie A, por trajneri i “nerazzurrëve” preferon të qëndrojë me këmbë në tokë.

Dopieta e Icardit dhe goli i Brozovic i siguruan tre pikët e rradhës Interit, që u ngrit në vendin e dytë të klasifikimit me 6 pikë prapa liderit Juventusit.

Spalleti që më parë ka theksuar se qëllimi i skuadrës së tij është të arrijë kualifikimin në Champions League, nuk e ka pëlqyer lojën e aplikuar në pjesën e dytë ndaj kryeqytetasve.

“Performanca është gjëja më e rëndësishme. Ne kemi mundësinë ta kontrollojmë ndeshjen siç bëmë në pjesën e parë, teksa në pjesën e dytë humbëm shumë topa duke i dhënë mundësinë Lazios të na sulmonte, dhe në këso situata shoh shumë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë. Për këtë arsye them se nuk jemi anti-Juventus, sepse nëse i bëjmë ato gabime, jemi anti-askushi. Kishim një pjesë të parë të mirë dhe kaq, mos të vetëkënaqemi”, u shpreh Spalleti për Sky Sport Italia.

Spalleti e zbuloi edhe arsyen e lënies në bankën rezervë të mbrojtësit holandez Stefan De Vrij, ndërsa tha se nuk do të ishte ambienti ideal për ish lojtarin e Lazios, që sezonin e kaluar në ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Champions League shkaktoi penallti, gjersa në fund Interi triumfoi në “Olimpico” 2-3 për të siguruar biletën për në kompeticionin më të rëndësishëm europian.

“Nuk mendova se do të ishte e drejtë të startoja me De Vrij, kur i gjithë stadiumi do ta vërshëllenin. Ai është një djal i ndjeshëm dhe nëse do të bënte ndonjë gabim do të futej në një spirale negative”, përfundoi trajneri i Interit.