Pas ndeshjes së mbrëmshme mes Interit dhe Barcelonës që u mbyll në barazim 1-1, trajneri i “Nerazzurrëve”, Luciano Spalleti tha se ishte më e lehtë të ballafaqoheshin me katalanasit pa Lionel Messin.

Ylli argjentinas mbeti jashtë fushës sërish shkaku i tërheqjes së krahut në takimin me Sevillan në La Liga para 3 javëve, por barazimi i mjaftoi Barcelonës të siguronte kualifikimin për në fazën tjetër të Champions League.

Spalleti kishte lëvdata për performancën e kampionëve të Spanjës, por e pranoi se me pesë herë fituesin e Topit të Artë në fushë gjërat do të komplikoheshin.

“Mendoj se Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm. Barcelona është një skuadër e mrekullueshme, edhe pse Messi nuk luan. Por nëse ai luan skuadra bëhet edhe më e fortë. Ndjej keqardhje që Messi nuk luan për shkak të lëndimit sepse nuk dua asnjë futbollistë të mbetet jashtë për këto arsye. Është e qartë se kur ballafaqoheni me Barcelonën dëshironi ta bëni pa e pasur Messin kundërshtar”, u shpreh Spalleti.

Pas 4 xhirove të zhvilluara në grupin B, Interi ndodhet në vendin e dytë me 7 pikë, ndërsa Barcelona është lidere me 10 pikë, Tottenhami e PSV e përmbyllin klasifikimin me nga 4 respektivisht 1 pikë.