Southgate për mikpritjen në Kosovë: Jam shumë i lumtur që jemi këtu

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate ka thënë se nesër në Kosovë do të jetë festë, derisa ka theksuar se është mëkat që “Dardanët” nuk arritën kualifikimin.

“Nesër është një festë për Kosovën, mëkat që nuk do të jetë në gjendje që të kualifikohet përmes kësaj faze, por presioni nga lojtarët tani është shkarkuar”, ka thënë ai.

Ai pret nesër një mikpritje edhe më të madhe, megjithatë thotë se kur të nisë ndeshja atëherë tifozët do të jenë prapa Kosovës.

“Kemi besimin se do të kemi një mikpritje të jashtëzakonshme, por gjatë ndeshjes jam i sigurt se tifozët do të jenë prapa ekipit të tyre”, ka thënë Southgate.

Tutje ai ka shtuar se nuk është i befasuar me kualitetin e Kosovës dhe pret ndeshje të vështirë nesër.

“S’jam befasuar kur Kosova e mposhti Çekinë në shtëpi, e dimë se çfarë kualiteti ka treguar Kosova edhe në Southampton. Ata do të reagojnë tani pas humbjes së fundit dhe do të duan të fitojnë ndeshjen e nesërme, dhe pres një ndeshje shumë të vështirë”, ka deklaruar Southgate.

Southgate komenton mikpritjen në Kosovë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate në konferencë për media ka thënë se është i lumtur që gjendet në Kosovë dhe për pritjen e ngrohtë që ka pasur ekipi i tij.

“Jam shumë i lumtur që jemi këtu. Jemi pritur në mënyrë të ngrohtë nga tifozët në aeroport dhe rrugës për në hotel. Gjithashtu trupat ushtarake britanike na kanë pritur aty”, ka thënë Southgate. 

Tutje ai ka thënë përkundër që Anglia është kualifikuar nesër synojnë të fitojnë.

“Sa i përket futbollit ne tashmë jemi kualifikuar, por ende duam të fitojmë”, ka thënë ai.