Rezultatet kanë qenë pozitive për Anglinë gjatë këtij viti, por përzgjedhësi Gareth Southgate i ka paralajmëruar futbollistët aktual se vendet e tyre në formacion nuk janë të sigurta.
Anglia ishte gjysmëfinaliste në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Rusi verën e kaluar, ndërsa në kompeticionin më të ri të UEFA-s, Nations League e përfunduan grupin në vendin e parë para Spanjës dhe Kroacisë.
Megjithatë, Southgate ka filluar të bëjë ndryshime nga lojtarët që u ftuan për Kupën e Botës, me Chilwell, Barkley dhe Gomez që kanë spikatur por pa harruar këtu edhe të rinjtë si Sancho e Wilson.
“Çdo herë që shoh ekipe që triumfojnë në ligat respektive, mënyra e vetme për ta vazhduar suksesin është t’i shtosh skuadrës disa lojtarë të ri. Kur ftojmë lojtarë të ri në ekip ata janë të emocionuar për të dhënë më të mirën, por edhe futbollistët tjerë dëshirojnë t’i dëshmojnë kualitetet e tyre. Janë të vetëdijshëm se ka garë, dhe të fundit që u ftuan treguan paraqitje shumë të mira”, tregoi Southgate.
Anglia në Final Four të Nations League i është bashkuar Holandës, Zvicrës dhe Portugalisë, ndërsa shorti për përballjet mes këtyre kombëtareve do të hedhet me 3 dhjetor në Dublin të Irlandës.







