Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate ka siguruar se nuk ka asnjë arsye për të lënë kombëtaren e “3 luanëve”, në mënyrë që të emërohet trajner te ndonjë skuadër e Premier Leagues.

48 vjeçari ka qenë i suksesshëm në drejtimin e Anglisë teksa gjatë verës arriti deri në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror sukses ky që nuk përsëritej që nga viti 1990, derisa u eliminua nga Kroacia, por në kompeticionin e ri të UEFA-së, Nations League, iu hakmorr ballkanasve duke i mposhtur dhe duke u kualifikuar për fazën finale të këtij kompeticioni që zhvillohet gjatë verës së ardhshme.

Southgate ka qenë pjesë e listës së trajnerëve të mundshëm për t’u ulur në stolin e Manchester Unitedit, por ish trajneri i Middlesbrough që rinovoi në tetor edhe për 4 vite tjera me Anglinë deklaroi se nuk arsye për të ndryshuar ambient.

“Mendoj se për momentin kjo është fare e thjeshtë, unë nuk kam se çfarë të shqyrtoj. Ne kemi pasur vitin më të suksesshëm në 28 vitet e fundit, kemi edhe një gjysmëfinale tjetër për të zhvilluar verën e ardhshme dhe unë kam nënshkruar kontratë të re tre muaj më parë. Jam jashtëzakonisht krenar të jem përzgjedhës i Anglisë dhe kam mundësinë të drejtojë kombëtaren drejt Kampionatit Europianit, shumica e ndeshjeve të cilat zhvillohen në Wembley, kështu që për mua është shumë e lehtë të përgjigjem në këtë pyetje”, përfundoi Southgate.