Sot hidhet shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Jose Mourinho shpreson të shohë përballje angleze në këtë raund të garës madhore kontinentale. Këtë sezon janë katër skuadra angleze, që e vijojnë betejën për trofeun e madh; Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.

Përpara shortit, trajneri portugez u pyet për atë që do të donte të shihte në çerekfinale: “Shpresoj që skuadrat angleze të luajnë kundër njëra-tjetrës, pa asnjë lloj preference më tej. Po të dalin dy çifte mes skuadrave angleze, kjo do të thotë se dy prej tyre shkojnë me siguri në gjysmëfinale. Unë mendoj që, nëse shorti përplas Manchester City me Manchester United, ose Tottenham me Liverpool, do të ishin ndeshje absolutisht fantastike”.

Dy skuadra angleze u takuan në Ligën e Kampionëve të sezonit të kaluar, kur Liverpooli eliminoi Manchester Cityn në çerekfinale. Sidoqoftë, para kësaj përplasjeje, në vitin 2011, Manchester United eliminoi Chelsea në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Mourinho, gjithashtu, përmendi se çfarë ballafaqimesh të tjera do të donte të shihte në raundin e radhës të këtij kompeticioni.

“Zgjedhja ime e dytë nuk do të ishte për arsye taktike apo emocionale, por për motivim fantastik shtesë. Unë do të doja Ajax kundër Porto, pasi kjo do të thotë që njëra prej këtyre skuadrave arrin në gjysmëfinale. Ato po bëjnë mjaft mirë, ndaj do të ishte e mahnitshme që njëra prej tyre të shkonte në raundin para finales.

Do të ishte e mrekullueshme për Portugalinë dhe Holandën si vende, që të kenë një ekip në gjysmëfinale të Championsit. Nuk do të më pëlqente Juventusi kundër Barcelonës, sepse mendoj se do të ishte diçka e veçantë. Barcelona kundër Juventusit mund të luajë në finale, ose në gjysmëfinale.

Flasim për dy skuadra të mëdha, që nuk janë të suksesshme në Ligën e Kampionëve për disa vite. Natyrisht, Juventusi ka shumë më shumë vite se Barcelona pa e fituar këtë trofe. Të udhëhequr nga dy lojtarë të mëdhenj, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, është mëkat të përplasen që në çerekfinale dhe njëri të eliminohet. Dua t’i shoh të dy më shumë se kaq në fushë”.