Sonte zhvillohet Super Kupa e Italisë mes Juventusit dhe Milanit: Formacionet e mundshme

Sonte me fillim prej orës 18:30 do të zhvillohet Super Kupa e Italisë mes Juventusit dhe Milanit që është caktuar të luhet në Jeddah të Arabisë Saudite.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri nuk do të ketë të gatshëm për këtë sfidë sulmuesin kroat, Mario Mandzukic, derisa listës së lojtarëve të lënduar iu shtohen edhe Cuadrado, Benatia dhe Barzagli.

Megjithatë, te “Bianconerët” pritet rikthimi i mbrojtësit portugez, Joao Cancelo që mendohet të startojë ndaj Milanit duke e fituar betejën me De Sciglion për një vend titulluari. Allegri ka vetëm një dyshim në sulm me Douglas Costan, Federico Bernardeschin dhe Moise Kean që mund të iu bashkohen dyshes Paulo Dybala dhe Cristiano Ronaldo në sulmin e “Zonjës së Vjetër”.

Juventus (4-3-3): Szczesny; Cancelo, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Bentancur, Pjanic, Matuidi; Douglas Costa, Dybala, Ronaldo.

Në anën tjetër te Milani, mungesë e vetme është anësori spanjoll, Suso që mungon në këtë ndeshje për shkak të suspendimit në ndeshjen e fundit të Serie A kundër Spalit. Gattuso nuk ka dyshime për formacionin dhe nuk pritet të ketë ndryshime nga formacioni i fundjavës kundër Sampdorias në Kupën e Italisë, me Patrick Cutronen që do jetë në bankën rezervë pavarësisht dy golave të shënuar ndaj xhenovezëve.

Milan (4-3-3): Donnarumma; Calabria, Zapata, Romagnoli, Rodriguez; Kessié, Bakayoko, Paquetà; Castillejo, Higuain, Calhanoglu.