Sonte zhvillohet finalja e Copa Libertadores mes River Plate dhe Flamengos

Edicioni i 60-të i Copa Libertadores do të ndizet flakë ashtu si ndodh gjithnjë në Amerikën Latine, por kësaj here dueli është edhe më i veçantë.

River Plate, “milionerët” argjentinas përballë Flamengos, skuadrës më të dashur në Brazil.

“Stadio Monumental Universitario” i Limës, në Peru, u përzgjodh për të qenë shtëpia e kësaj finaleje të madhe pas protestave në Kili, që detyuan organizatorët të ndryshonin vendin e zhvillimit të sfidës së vitit në Amerikën e Jugut.

Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni legjendar, të cilët herën e fundit triumfuan në “Super Clasico”, ndaj Bocas, në Madrid, do të kërkojnë trofeun e 5-të në histori dhe të 3-in në 5 edicionet e fundit.

Marcelo Gallardo ka ngjitur shkallët e karrierës duke e fituar 2 herë Libertadores dhe është pikërisht tekniku 43-vjeçar arma më e fortë e Riverit. Për të qenë të sinqertë, është një duel mes “Davidit dhe Goliatit”, sepse Flamego ka ndërtuar një skuadër të frikshme, e cila po dominon me diferencë ligën braziliane dhe ka në organikë futbollistë me përvojë europiane, si portierin Diego Alves, apo Filipe Luis, ish-in e Bayernit, Rafinha, Gerson dhe Gabigol dhe mbi të gjithë një trajner si Jorge Jesus, që ka drejtuar nga 2009 në 2018 dy gjigantët portugezë, Benfican e Sportingun, duke fituar gjithsej 12 trofe.

Një duel që, edhe pse është i pari mes Riverit e Flamengos në një finale Libertadoresi, mbetet një sfidë epike, sepse në një krah është një klub i madh argjentinas nga Buenos Airesi e në anën tjetër është një skuadër klub që dashurohet pa fund në Brazil, me bazë në Rio de Janeiro, pra skuadrat e dy qyteteve historike të Amerikës së Jugut.