Sonte luhet finalja e Europa League, Villarreal vs Manchester United

Villarreal për të bërë realitet një ëndërr, Manchester United për të përsëritur suksesin e tri sezoneve më pare, kur kishte Jose Mourinhon në stol.

Sonte luhet finalja e madhe e UEFA Europa League.

Nëse për “Djajtë e Kuq”, arritja në finale është diçka normale dhe e pritshme, për “Nëndetësen e Verdhë” është një nga ato mundësitë që mund të të vijnë vetëm një herë në jetë. Asnjë skuadër e një qyteti me kaq pak banorë, vetëm 55 mijë, nuk ka mundur të fitojë një trofe kaq të rëndësishëm në historinë e futbollit.

I kanë shkuar afër Bastia dhe Monaco, “të voglat” që kanë humbur përkatësisht finalet në Kupën UEFA në vitin 1978, kundër PSV-së, dhe në Champions, në vitin 2004, përballë Portos.

“Nuk mund injorojmë faktin që Manchester United është favorit”, – deklaroi trajneri i Villarealit, Unai Emery. – “Ne jemi krenarë që kemi arritur deri këtu dhe ne kemi mundësia për të hedhur një hap gjigant. Ky klub ishte ndalur gjithmonë në gjysmëfinale, tani ne duam të thyejmë një mur tjetër, të shijojmë momentin, por duke menduar se mund të fitojmë”.

Nga ana tjetër, Manchester United i Ole Gunnar Solskjaer, kërkon ta mbyllë me trofe prestigjioz sezonin. Në tribunën e stadiumit “Mijeksi” të Gdanskut, në Poloni, do të jetë Sir Alex Ferguson.

“Shpresoj ta bëj të lumtur, sepse pjesa më e madhe e karrierës sime është e lidhur me të. Kam mësuar shumë nga ajo ndeshje legjendare në Barcelonë, kundër Bayernit të Munich. Gjithmonë duhet të besosh tek ekipi yt, tek instikti yt”, deklaroi ole Gunnar Solskjaer, trajner i “Djajve të Kuq”.

Sfida do të zhvillohet nga ora 21:00.