“Sonte largohemi nga Bashkimi Evropian” VIDEO

Mesnata e së premtes shënon fundin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.

Çështja e nxehtë e BREXIT-it merr fund pas pothuajse katër vjetësh.

Diskutimet kanë qenë të ashpra, si në Parlamentin britanik, ashtu edhe në atë evropian.

BREXIT-i fillimisht ishte caktuar për 31 mars të vitit të kaluar, por u vonua vazhdimisht kur deputetët kundërshtuan një marrëveshje të mëparshme të tërheqjes të arritur nga BE-ja dhe ish-kryeministrja Theresa May.

E, pikërisht BREXIT-i u bë shkak për dorëheqjen e saj.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka mbështetur BREXIT-in dhe ka premtuar se do t’i prijë shtetit drejt një të ardhmeje të ndritshme.

Gjatë së premtes, deputetët britanikë u larguan për herë të fundit nga Parlamenti Evropian, derisa u kujdesën edhe për mesazhe ironike drejt BE-së.

Ndërsa, liderët e bllokut reaguan duke thënë se vetëm BE-ja mund t’i zgjidhë sfidat globale.

“Asnjëherë nuk konsiderohet moment i lumtur kur dikush largohet. Sidoqoftë, ne me këtë rast, po hapim një kapitull të ri. Do të punojmë shumë që t’i realizojmë të gjitha ambiciet e Bashkimit Evropian”, tha Charles Michel, President i Këshillit Evropian.

Britania disa herë ka refuzuar shumë projekte të BE-së, përfshirë edhe monedhën evropiane, ose marrëveshjen e Schengenit.

Për shumë vjet, euro-skeptikët britanikë kanë bërë fushatë për të çliruar vendin e tyre nga ai që ata e shohin si institucion tepër burokratik.

Në vitin 2016, britanikët dolën për të votuar në referendumin për dalje ose qëndrim në Bashkimin Evropian, me ç‘rast shumica votuan për largim.

Britania bëhet vendi i parë që largohet nga blloku prej 28 anëtarësh, 47 vjet pas anëtarësimit të saj.

Mesazhi i kryeministrit britanik, Boris Johnson para largimit zyrtar nga BE-ja: Sonte largohemi nga Bashkimi Evropian: