Sulmuesi i Tottenhamit

Son i bashkohet me vonesë Koresë së Jugut në Kupën Aziatike

Son Heung-min do t’i humb dy ndeshjet e fazës së grupit te Korea e Jugut në Kupën Aziatike, për të qenë i gatshëm për ndeshjen që Tottenhami e zhvillon ndaj Manchester Unitedit në mes të janarit.

26 vjeçari është përfshirë në listën e kombëtares së Koresë Jugore për Kupën Aziatike që zhvillohet prej datës 6 janar deri në 1 shkurt, por nuk do të jetë prezent për dy ndeshjet e para të grupeve kundër Filipineve dhe Kirgiztanit.

Son do të luajë ndaj Manchester Unitedit me 13 janar, por nuk do të jetë pjesë e “Spurs” për ballafaqimin në gjysmëfinalen e EFL Cup kundër Chelseat më vonë gjatë janarit.

Ish lojtari i Hamburgut ka qenë në formë të shkëlqyeshme në ndeshjet e fundit, duke kontribuar me 3 gola në 5 takimet e fundit në Premier League, kurse shënoi golin e parë mbrëmë kundër Arsenalit në EFL Cup.

Son Heung-min ishte kapiten i kombëtares U-23 në Lojërat Aziatike, kompeticion që u zhvillua në gusht të këtij viti, derisa medalja e artë në këtë garë e shpëtoi anësorin e shpejtë nga shërbimi ushtarak në vendin e tij.