Pavarësisht se do të jetë trajner i përkohëshëm te Manchester Unitedi, Ole Gunnar Solskjaer synon të bëjë ndryshime në skuadër gjatë janarit.
Solskjaer pason në stolin e “Djajve të Kuq” trajnerin e shkarkuar Jose Mourinhon, i cili u largua të martën nga Unitedi.
Pavarësisht se ngjallë nostalgji te tifozët rikthimi i Solskjaerit, një pjesë e tyre kanë rezerva rreth trajnerit norvegjez sa i përket aftësisë së tij për të ndikuar në ndërtimin e skuadrës.
“Do të marr disa informacione por puna kryesore është t’i njoh futbollistët. E kam shikuar pothuajse secilën ndeshje nga Norvegjia. Klubi ka ekipet e scoutingut dhe ata i kanë objektivat e tyre. Kur e pranoni një punë të tillë dhe nënshkruani për 6 muaj thoni se jeni shumë të lumtur, do të mundohem të dërgojë klubin sa më lart që është e mundur. Ka shumë trajnerë që do të dëshironin të ishin në vendin tim, por ky proces do të fillojë pas 6 muajve”, u shpreh Solskjaer.
Aventura e Solskjaerit te Manchester Unitedi do të fillojë të shtunën në udhëtim te ish skuadra e tij, Cardiff City, ndërsa më pas zhvillon dy ndeshje në shtëpi përballë Huddersfieldit dhe Bournemouthit.







