Ole Gunnar Solskjaer shpreson që ballafaqimi me Neymarin, Mbappen dhe Cavanin t’i motivojë lojtarët e Manchester Unitedit.
“Djajtë e Kuq” u shortuan me Paris Saint Germainin të hënën, 24 orë më pas 20 herë kampionët e Anglisë shkarkuan trajnerin Jose Mourinho.
PSG-ja ishte lider në grupin e njëjtë me Liverpoolin dhe Napolin, ndërsa Solskjaer shpreson që skuadra e tij të përballet denjësisht me parisienët, me sfidën e parë që zhvillohet me 12 shkurt në “Old Trafford”, ndërsa ndeshja kthyese luhet me 6 mars në Paris.
“E kam shikuar shortin të hënën duke mos e ditur për zhvillmet te Unitedi. Mendoj se ndeshja me PSG-në është mundësi fantastike. Këto janë netët magjike në “Old Trafford”, për të cilat na fliste Alex Ferguson. Kemi kundërshtarë të mrekullueshëm, këto janë netët kur Manchester United shfaqet. Mezi e pres por deri atëherë kemi edhe shumë ndeshje tjera. Do të ishte e rëndësishme të ndërtojmë vetbesimin deri te ai ballafaqim”, theksoi Solskjaer.
Norvegjezi do të debutojë në stolin e Unitedit me ndeshjen në udhëtim te ish skuadra e tij, Cardiff City, ndërsa 45 vjeçari e ka zbuluar një prapaskenë interesante kur është ishte përballur me skuadrën e zemrës.
“Jam i mirë në kontrollimin e emocioneve kështu që nuk do të jem emocional, por kur isha trajner i Cardiffit në vitin 2014 dhe kishim ndeshje me Manchester Unitedin në “Old Trafford” kisha një ndjenjë të çuditshme. Ishte njëra prej ndjenjave më surreale që kisha përjetuar, të qenurit në anën kundërshtare. Tani jam në anën e duhur dhe mezi e pres”, përfundoi Solskjaer.







