Trajneri i Unitedit

Solskjaer mendon se Manchester Unitedi mund të ndërtohet rreth Pogbës

Trajneri i emëruar deri në përfundim të këtij sezoni te Manchester Unitedi, Ole Gunnar Solskjaer ka theksuar se Paul Pogba është një prej lojtarëve më të mirë në botë, derisa sipas tij, “Djajtë e Kuq” mund të bazohen te ai.

Paraqitjet e Pogbës nën drejtimin e ish trajnerit, Jose Mourinhon, ishin për t’u harruar teksa u raportua se mardhëniet e dyshes ishin përkeqësuar.

Trajneri portugez u zëvendësua nga ish lojtari legjendar i Unitedit, Solskjaer, i cili ka arritur dy fitore në dy ndeshjet e para në stolin e 20 herë kampionëve të Anglisë.

Norvegjezi beson se Pogba mund t’i përsëris paraqitjet gjatë Kampionatit Botëror me Francën, ndërsa shtoi se Manchester Unitedi mund të ndërtohet rreth ish mesfushorit të Juventusit.

“Mendoj se Paul është top lojtar, edhe për sa i përket sulmit. Ai mund t’i fitojë duelet ajrore dhe ka aftësi për ndërhyrje. Sjellja e tij ka qenë e shkëlqyeshme dhe kjo është vendimtare, lojtarët duhet të ndihen të lodhur pas secilës ndeshje. Pogba është tip i lojtarit që po kërkojmë të mbështetemi, por ne kemi edhe lojtarë tjerë me kualitete të mëdha”, tha Solskjaer.

Manchester Unitedi ndeshjen e fundit për këtë vit e zhvillon në “Old Trafford” të shtunën kundër Bournemouthit.