Solskjaer konfirmon mungesën e De Geas në derbin kundër Liverpoolit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i ka qetësuar tifozët e shqetësuar lidhur me gjendjen e portierit David De Gea, duke thënë se nuk beson që lëndimi do ta mbajë spanjollin për një kohë të gjatë jashtë fushës së blertë. Mirëpo, ai ka thënë se tifozët s’duhet të presin që ai të luajë të dielën kundër Liverpoolit.

Fillimisht ishte raportuar nga mediat spanjolle e britanike se lëndimi që David De Gea e pësoi gjatë kohës sa ishte me Kombëtaren e Spanjës mund ta mbante 28-vjeçarin jashtë skuadrës së “Djajve të kuq” për një kohë të gjatë.

Solskjaer e pranon se ai e kishte përgatitur veten për të qenë pa portierin e parë të skuadrës së tij deri në nëntor, kur lojtarët do të shkojnë sërish në detyrë me ekipet kombëtare.

Megjithatë, tani ai beson se De Gea do të kthehet në skuadër para se të nisë pushimi gjatë ndeshjeve të Kombëtareve. Këtë gjë e bëri të ditur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Liverpoolit.

“Mos prisni që ai të luajë, por lëndimi nuk është aq i keq sa ishim frikësuar se mund të jetë fillimisht”, ka bërë të ditur Solskjaer.

“Kur unë e pashë ndeshjen, mendova se ai s’do të mundë të luante deri pas ndeshjeve të ardhshme të ekipeve kombëtare. Por, lëndimi s’është aq i keq sa kishim menduar”.

Përveç De Gea, Manchester Unitedi do ta presë rivalin e vet më të madh e liderin e Premierligës, Liverpoolin, edhe pa yllin tjetër të skuadrës, mesfushorin Paul Pogba.

loading…