Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i ka paralajmëruar tifozët e klubit anglez se nga prurja e re në skuadër, Bruno Fernandes, ata s’duhet ta presin një lojtar të tipit të Cristiano Ronaldos, por një mesfushor si Paul Scholes.

Bruno Fernandes e kompletoi transferimin për 55 milionë euro në Old Trafford nga Sporting Lisbona të enjten – duke nënshkruar kontratë që do të bënte që ai të mbetet në klub deri në vitin 2025.

Manchester Unitedi ishte spekuluar për transferimin e 25-vjeçarit edhe verën e kaluar, por nevoja e Solskjaer për një përforcim në repartin e mesfushës u shtua edhe më shumë në janar, shkaku i lëndimit të dyshesh Paul Pogba – Scott McTominay.

Djajtë e Kuq më në fund arritën ta transferojnë Bruno Fernandesin pas disa javëve negociata me Sportingun, të cilët mund t’i marrin edhe 25 milionë euro të tjera në shtesa nëse mesfushori portugez i arrin disa caqe të caktuara.

Trajneri norvegjez i ka paralajmëruar tifozët se ata s’duhet ta presin një lojtar të ngjashëm me Cristiano Ronaldon, por një lojtar si Paul Scholes nga Bruno Fernandes.

“Cristiano është i veçantë. Ne shpresojmë se Bruno do ta ketë një karrierë fantastike në Manchester United, por s’është e drejtë për djaloshin të fillojmë ta krahasojmë atë me Cristiano Ronaldon”.

“Ai është një mesfushor që asiston dhe shënon, pak a shumë i ngjashëm me Paul Scholes. Ai mund ta gjuajë topin në mënyrë fantastike. Ai ka teknikë të mrekullueshme dhe do të bëjë shumë asiste me pasimet e tij të llojllojshme dhe nga gjuajtjet e lira”.

“Ai është një lojtar i ngjashëm me Paul Scholes – i zjarrtë, me shumë pasion, e urren të humbë dhe e ka të njëjtin numër në fanellën e tij. Mendoj se ai është një tjetër pjesë që na e kompleton skuadrën. Jam i sigurt se ai do të shtojë diçka që na ka munguar në skuadër këtë vit”.