Ole Gunnar Solskjaer ka ndihmuar në rikthimin e dashurisë së fansave për Manchester United, që kur zbarkoi si trajner në “Old Trafford”. Jose Mourinhos u shkarkua në fund të vitit të kaluar, teksa skuadra kishte një ecuri të tmerrshme rezultative, por edhe performancat më të këqija të mundshme.

Problemet jashtë fushës, raportet e vështira të portugezit me lojtarët, sidomos me Paul Pogba, vetëm sa e intensifikuan dramën dhe ndryshimin në “Old Trafford”. Pa asnjë humbje kohe, Solskjaer ka marrë më të mirën nga “Djajtë e Kuq” dhe me të vërtetë i ka bërë tifozët e Manchester United të qeshin e të lumturohen sërish.

Nga dhjetë ndeshje me norvegjezin në drejtim, Manchester United ka fituar nëntë, duke barazuar një. Pra, nuk ka asnjë humbje. Gjithsesi, nuk janë vetëm statistikat e thjeshta të fitoreve, ato që kanë marrë vëmendjen e tifozëve. Në fund të fundit, duke parë paraqitjet e Paul Pogba dhe Marcus Rashford, që po tregojnë potencialin e tyre, tifozët kanë shumë shtysa për të shkuar në stadium.

Në fakt, Manchester United ka qenë më i mirë në çdo kategori të vetme statistikore, nën drejtimin e Solskjaer; që nga fitoret dhe golat e shënuar, deri te shanset e krijuara. Së pari dhe më kryesorja, “Djajtë e Kuq” kanë fituar 87.5 për qind të ndeshjeve të tyre në Premier League nën drejtimin e trajnerit norvegjez, krahasuar me vetëm 41.2 për qind nën urdhrat e Jose Mourinhos.

E thënë ndryshe, Manchester Unitedin fiton përafërsisht 2.75 pikë për ndeshje, krahasuar me 1.5 pikë të tilla në kohën e Mourinhos. Sulmi i çliruar tashmë ka krijuar më shumë shanse në portat kundërshtare, më tepër goditje dhe gola të shënuar. Dallimi është drastik edhe në këtë drejtim.

Ekipet e Mourinhos kanë qenë prej kohësh të famshëm për “parkimin e autobusit”, por ky nuk është një problem kultural e profesional i Solskjaerit. “Djajtë e Kuq” janë bërë shumë kërkues edhe jashtë fushës së tyre, në kërkim të golave, me statistika bindëse, që kanë siguruar “fluturimin” në klasifikimin e Premier League, muajin e fundit.

Manchester United kryeson klasifikimin e kampionatit anglez, nëse marrim për bazë vetëm ndeshjet e luajtura nga momenti kur Solskjaer mori përsipër drejtimin në “Old Trafford”.