Solskjaer e cilëson Pogban si mesfushorin më të mirë në botë

Ditëve të fundit flitej për një largim të mundshëm të Paul Pogbas nga Manchester Unitedi në afatin kalimtar të janarit.

Mirëpo, trajneri Ole Gunnar Solskjaer i ka hequr të gjitha dilemat sa i përket së ardhmes së mesfushorit francez.

Trajneri norvegjez ka siguruar se kampioni i botës me Francën do të qëndrojë së paku deri në fund të sezonit në “Old Trafford”.

Gjithashtu, Solskjaer e ka ngritur në qiell futbollistin e tij.

“Pogba është në gjendje të bëjë gjithçka, është mesfushori më i mirë në botë. Mund të luajë në çfarëdo pozite, të shkojë me topa të gjatë apo të shkurtër, të vrapojë apo të pasojë. Kur është në fushë, i jep shumë skuadrës”, ka thënë trajneri i Unitedit.

Ai shpreson që Pogba të mund të luajë ndaj Newcastlet nga fillimi i lojës.

Për Pogban flitet se mund të rikthehet në Juventus ose të transferohet në Real Madrid.