Solari tregon se futbollistët e Real Madridit janë të vendosur për t’u kthyer në formë

Santiago Solari thotë se futbollistët e Real Madridit janë të lënduar nga forma e dobët që solli edhe shkarkimin e trajnerit Julen Lopetegui.

“Los Blancos” pësuan humbjen e 4-të në 5 ndeshjet e fundit në La Liga teksa u deklasuan në “El Clasico” nga Barcelona me rezultat 5-1.

Lopetegui u shkarkua të hënën në mbrëmje teksa u pasua nga trajneri i Real Madrid Castilla, Santiago Solari. Ish futbollisti i “mbretërve” që ishte pjesë e skuadrës që triumfoi në Champions League në sezonin 2001-2002, mbajti sot seancën e parë stërvitore në “Valdebebas” teksa zbuloi se lojtarët janë të vendosur për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

“Ata janë paksa të lënduar. Por janë të foksuaur për t’i kthyer gjërat në vend. Ky është një grup i kampionëve, grup i njerëzve që punojnë shumë dhe që kanë fituar shumë për këtë klub. Nuk është situata më e lehtë por i kam parë lojtarët që janë në disponim për t’u kthyer te fitoret. Ky është një moment delikat por në këto momente shfaqet karakteri që e keni”, tha Solari në konferencën për shtyp para ndeshjes me Melillan në Copa del Rey.

Qarkullojnë emrat e Antonio Contes dhe Roberto Martinez për t’u emëruar trajner te Real Madridi, por Solari shpreson të shfrytëzojë këtë mundësi.

“Do të tentoj dhe do të bëjë gjithçka që mundem, është një mundësi e madhe në një klub të madh. Kam luajtur dhe djersitur për këtë klub. Real Madridi është më i madh se secili prej nesh, dua vetëm të jem pjesë e tij”, përfundoi Solari.