Santiago Solari ka impresionuar nën drejtimin e Real Madridit në 4 ndeshjet që ka qenë në stolin e “Los Blancos” duke i fituar të gjitha këto takime, por argjentinas nuk preferon ta flas për një emërim të përhershëm në menaxhimin e kampionëve të Europës.

Real Madridi mposhti mbrëmë 2-4 Celta Vigon me Solarin që u bë trajneri i parë i “mbretërve” që i fiton 4 ndeshjet e para prej Manuel Pellegrinit në vitin 2009.

Solari pasoi Lopeteguin në drejtimin e madrilenëve pas humbjes në “El Clasico” 5-1, por 42 vjeçari mendon të fokusohet vetëm te ndeshja e ardhshme, ndërsa sipas tij ndaj Celtas nota negative ishin lëndimet.

“E rëndësishme është t’i bëjmë gjërat që janë të nevojshme për të mirën e klubit, gjithçka tjetër nuk ka rëndësi. Celta luajti në mënyrë shumë agresive. Casemiro u detyrua të zëvendësohej, Bale rezistoi pavarësisht se goditja që mori i shkaktoi dhimbje. Ndërhyrjet e tyre ishin në limitet e asaj që lejohet dhe për këtë arsye vuajtëm”, deklaroi Solari.

Në anën tjetër drejtori për marrëdhënie institucionale te Real Madridi, Emilio Butragueno ka lavdëruar punën e Solarit duke thënë se klubi është i kënaqur me të.

“E vërteta është se ne jemi të lumtur me të. Nuk ka dyshim se Solari erdhi në një moment të vështirë dhe ka arritur rezultate të mira deri tani. Ishte ndeshje e komplikuar me Celtan teksa kishim edhe shumë lëndime por ne treguam karakter dhe personalitet”, nënvizoi Butragueno.

Humbja e Barcelonës në shtëpi ndaj Real Betisit e ka rikthyer Real Madridin në garë për titullin në La Liga, me “Los Blancos” që kanë vetëm 4 pikë më pak se katalanasit.