Humbja ndaj Real Sociedadit në shtëpi në La Liga, i ka bërë drejtuesit e Real Madridit të mendojnë seriozisht për të ardhmen e trajnerit Santiago Solarit.
Solari do të mbetet në krye të skuadrës deri më 30 qershor, përvec nëse bën ndonjë sensacion të paparë deri në fund të sezonit.
Gazetari i njohur i sportit në Spanjë, Paco Gonzalez tha në programin “El Partidazo de Cope” se Real Madridi e ka në plan ta mbajë Solarin vetëm deri në fund të këtij sezoni, përkundër se ai nënshkroi kontratë me klubin deri më 2021.
Solari e mori drejtimin e “Los Blancos” në tetor të vitit të kaluar pas shkarkimit të Julen Lopeteguit, ndërsa më vonë nënshkroi kontratë me klubin me kohëzgjatje deri në qershor 2021.
Megjithatë, sipas Gonzalez vendimi i Real Madridit për ta larguar argjentinasin në verë është i prerë dhe vetëm një ndryshim i jashtëzakonshëm mund t’ua ndërrojë mendjen drejtuesve të Madridit.
Pas gjashtë humbjeve deri tani këtë sezon, Real Madridi ngel 10 pikë prapa liderit dhe rivalit, Barcelonës në La Liga.







