Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari e ka lavdëruar yllin e skuadrës, Gareth Bale për performancën në ndeshjen gjysmëfinale për Kupën e Botës për Klube ndaj Kashima Antlers, takim në të cilin sulmuesi uellsian realizoi 3 gola.
Argjentinasi është i lumtur me faktin se Bale është gjithmonë vendimtar në ndeshjet e mëdha, duke kujtuar këtu edhe paraqitjen në finalen e Champions Leagues, edicionin e kaluar kundër Liverpoolit, gjersa 29 vjeçari pati shënuar 2 gola.
“Jam i lumtur me 3 golëshin e Bale dhe vazhdimësinë dhe paraqitjen solide të skuadrës. Bale ka marrë përsipër gjithçka, të gjithë reflektorët janë mbi të. Ai ka pasur një paraqitje senzacionale duke treguar se çfarë është në gjendje të bëjë. Në fund, është lojtari përgjegjësi i vetëm për paraqitjet e tij. Bale i ka dhuruar Real Madridit shumë momente gëzimi dhe ka qenë vendimtar në momentet kyçe”, theksoi Solari.
“Los Blancos” synojnë ta fitojnë Kupën e Botës për Klube për të tretën herë rresht dhe të katërtën në pesë vitet e fundit, gjersa Solari është ndarë i kënaqur me intensitetin e treguar duke shtuar se skuadra e tij iu qas ndeshjes sikur të ishte finale.
Real Madridi në finale do të përballet me klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al Ain, teksa ballafaqimi zhvillohet të shtunën me fillim prej orës 17:30.







