Sulmuesi uellsian

Solari kërkon protagonizëm nga Bale

Trajneri i përkohëshëm i Real Madridit, Santiago Solari ka kërkuar nga Gareth Bale që të jetë protagonist i skuadrës duke treguar kualitetin e tij në vazhdimësi.

Ishte pritur që pas largimit të Cristiano Ronaldos te Juventusi, Bale të merrte më shumë përgjegjësi te “Los Blancos”, por uellsiani ka dështuar t’i përmbush pritshmëritë me vetëm 4 gola të shënuar në 12 paraqitje këtë sezon, ndërsa është kritikuar edhe performanca e tij ndaj Barcelonës në humbjen e thellë 5-1 javën e kaluar në “El Clasico”.

Pavarësisht këtij momenti negativ të ish lojtarit të Tottenhamit, Solari shpreson se Bale do të ia dalë të kthehet në pikë referimi te Real Madridi.

“Ai është në qendër të vëmendjes. Shpresoj se do ta shfaq talentin e tij të jashtëzakonshëm. Duam të kënaqemi me paraqitjet e tij për secilën ditë. Bale është lojtar fantastik”, tha Solari.

Solari mohoi idenë se është përdorur një qasje tjetër më e butë në raport me Balen, ndërsa theksoi vlerat e Real Madridit që sipas tij janë ambicia, sakrifica, dëshira për të sulmuar dhe mos dorëzimi.

42 vjeçari që e nisi aventurën e tij në stolin e Real Madridit me fitoren 0-4 ndaj Meillas në Copa del Rey paralajmëroi më shumë hapësira për talentin e ri, brazilian Vinicius Junior.

“Vinicius është një lojtar më shumë në skuadër dhe secili duhet të jetë i gatshëm për t’u konsideruar alternativë e skuadrës startuese. Për mua është e thjeshtë ai ka nevojë të luajë dhe të fitojë përvojë në mënyrë që të bëhet futbollist më i mirë”, përfundoi Solari.