Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari ka theksuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm në skuadrën e tij, gjersa argjentinasi është kritikuar për shkak se Isco nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje si startues nën drejtimin e tij.
Isco është aktivizuar vazhdimisht nga banka rezervë prej se në stolin e Real Madridit është ulur Solari që pasoi në këtë detyrë të shkarkuarin Julen Lopetegui.
Solari është pyetur në vazhdimësi për injorimin që i ka bërë Iscos, me 42 vjeçarin që ka insituar se është i kënaqur me ish lojtarin e Malagas, derisa i ka paralajmëruar të gjithë lojtarët e tij se vendi i askujt nuk është i sigurtë në formacion në prag të ndeshjes kthyese ndaj Melillas në Copa del Rey.
“Janë 24 futbollistë në skuadër plus djemtë nga akademia dhe unë i shoh ata të stërviten me entuziazëm. Nesër kemi një ndeshje ku synoj t’i shoh shumë lojtarë të rinj. Ju kam thënë edhe më herët se nuk besoj se dikush është i pazëvendësushëm tani apo në kohën time si futbollist. Ajo çfarë na duhet të bëjmë është të nxjerrim më të mirën tonë, e pastaj janë lëndimet dhe problemet me çështjen e fitnesit”, tha Solari.
Solari tutje shtoi se Modric e meritoi triumfin në garën për Topin e Artë pas sezonit shkëlqyeshëm me Real Madridin dhe kombëtaren e Kroacisë.







