Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos është përfshirë në dyshime se kishte përdorur doping, por trajneri i “Los Blancos”, Santiago Solari i ka ofruar mbështetjen e tij kapitenit të skuadrës.

Revista gjermane “Der Spiegel” ka publikuar disa artikuj të siguruara nga faqja “Football Leaks”, ndërsa në njërin prej këtyre artikujve pretendohet se Ramos e ka thyer protokolin e antidopingut në dy raste.

Së pari dyshohet se Ramos ka përdorur substanca të ndaluara në finalen e Champions Leagues ndaj Juventusit në vitin 2017, me “Der Spiegel” që shkruan se 32 vjeçarit i është gjetur në mostër përdorimi i substancave të ndaluara.

Rasti i dytë thuhet se ka ndodhur në prill të këtij viti në ndeshjen ndaj Malagas në La Liga.

Sergio Ramos i ka cilësuar këto raportime si tentim për të prishur imazhin dhe reputacionin profesional të tij, ndërsa edhe Solari i ka dalur në ndihmë.

“Ramos është një njeri i sinqertë. Ai është një flamur mbajtës i madh jo vetëm për futbollin por edhe për sportin spanjoll në përgjithësi. Duhet ta mbrojmë ata përballë këtij lloji të gazetarisë. Gazetaria duhet të informojë dhe të jetë në kërkim të së vërtetës, por ata janë duke publikuara gjëra të pavërteta. E respektoj këtë profesion por kur gjërat shkojnë në këtë mënyrë, humbet edhe respekti”, u shpreh Solari.

Sergio Ramos do të jetë sonte në fushë përballë Romës në “Olimpico” me rolin e liderit te Real Madridi pas largimit edhe të Crisitiano Ronaldos drejt Juventusit.