Santiago Solari i ka thurur elozhe ekipit pas fitores së vështirë 2-1 ndaj Levantes.

Megjithëse ishte një fitore e dyshimtë, për shkak të dy penalltive të fituar me ndihmën e VAR-it, Solari nuk ka dashur t’i japë shumë rëndësi episodeve duke u fokusuar te lojtarët e tij dhe te loja e skuadrës.

Golin e tri pikëve e shënoi Gareth Bale nga penalltia në minutën e 78’, katër minuta pasi ishte futur në lojë në vend të Karim Benzemas.

Ai nuk festoi, kinse për shkak të situatës nëpër të cilën po kalon, pasi Vinicius e Vasquez po luajnë para uellsianit – madje e injoroi krejtësisht Lucasin që tentoi të festojë me të, duke ia larguar duart.

Sido që të jetë, kjo s’ka rëndësi për Solarin.

“Sa herë që fiton, gjërat duken shumëngjyrëshe. Çfarë ngjyre? Ngjyra e fitores. Më pëlqen mënyra se si Bale u fut në lojë, sikur të futej gjithmonë kështu”, u shpreh Solari.

Penalltia e Casemiros? Më tha se kundërshtari i kishte fërkuar kaviljen. Unë e besoj”.

“Mos festimi i Bale? Ishte Bale ai që na dha fitoren dhe për këtë jam shumë i lumtur. Rëndësi ka të shënojë, pastaj të festojë si të dojë”, shtoi ai mes tjerash.