Sokoli: Kemi probleme në të gjitha fazat, na duhet punë për tu përmirësuar

Prishtina nuk këndellet as me ardhjen e trajnerit Bylbyl Sokoli në krye të shtabit teknik.

“Profa” i cili debutoi me humbje në rikthimin e tij tek stoli i klubit kryeqytetas ka ende shumë punë për të bërë, teksa është i vetëdijshëm edhe për defektet e ekipit.

Sokoli pas humbjes ndaj Llapit 0-1 në një prononcim për “Super Sport Kosova” pas ndeshjes tha se ekipi i tij po çalon në mbrojtje dhe repartin e mesfushës.

“Kemi probleme në të gjitha fazat dhe kjo është evidente. Por, më së shumti çalojmë në repartin e mbrojtjes dhe atë të mesit të fushës. Dy lojtarët e vijës së fundit nuk kanë komunikim fare, ndërkohë që lojtarët e mesfushës nuk krijojnë në repartin e sulmit dhe janë të parrezikshëm. Na duhet shumë punë për tu përmirësuar në aspektin taktik, teknik dhe psikik. Do ta kemi të vështirë, por besoj se mund të ja dalim”, deklaroi Sokoi.

Më tej ai u shpreh optimist se skuadra e tij mund të gjejë zgjidhjen për të dalë nga kriza, por theksoi se futbollistët e tij duhet të punojnë shumë në këtë drejtim.

“Prishtina ka shumë cilësi dhe potencial, ndaj do ta gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë. Po e them edhe njëherë do të jetë vështirë, por do të punojmë maksimalisht për ti eliminuar këto gabime të cilat po na shfaqen dhe do shohim përpara”, mbylli Sokoli.

Me vetëm një pikë në fundin e tabelës, Bylbyl Sokoli do të ketë shumë punë në klubin kryeqytetas.

loading…