S’ndalen talljet me Besnik Bislimin: Hiperinteligjenca iu bë pengesë, nuk udhëtoi me Veton Surroin

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, iu ndalua vizita dyditore në Serbi nga policia e këtij shteti “për shkaqe sigurie”, pak para se të arrinte në Beograd, ku do të merrte pjesë në një forum ndërkombëtar.

Pas kësaj ka reaguar edhe profesori universitar Milazim Krasniqi, i cili ka ironizuar me Bislimin, përcjell Demokracia.com.

Krasniqi ka pyetur se përse Bislimi nuk ka udhëtuar me publicistin Veton Surroi, për të cilin nuk është raportuar se ka pasur ndonjë telashe për të shkuar në Beograd.

“Pse nuk ka udhetue Besniku me Vetonin? Vetoni kish mberri i sigurt ne Beograd. Ose ka mujte me u nis para Vetonit. Nganjëherë hiperintelegjenca bahet pengese.”, ka shkruar Krasniqi.

Në ditën e parë të BSC-së ka folur publicisti kosovar, Veton Surroi. Ai ka qenë pjesë e panelit ku është folur për Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit.

Surroi ka kohë që është duke lobuar për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, por ai është duke u bllokuar nga Serbia. Për zhbllokimin e situatës rreth emërimit të tij tashmë është duke u negociuar në nivele tejet të larta dhe mësohet se Surroi këtë vizitë në Beograd do ta shfrytëzojë për lobim edhe për vete. /Demokracia.com/