Charles Smith

“S’mund të pajtohem”, gjykatësi i Speciales e kundërshton në disa pika aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Speciale. Aktgjykimi mban nënshkrimet e kryetarit të trupit gjykues Charles Smith dhe gjykatësve Guénaël Mettraux dhe Christoph Barthe. Ky i fundit nuk pajtohet me dy kolegët e tij në disa çështje të aktgjykimit, dhe për këtë e ka shkruar opinionin e tij.

Gjykatësi Christoph Barthe thotë se nuk mund të pajtohet me dy kolegët e tij në dy pika, ndërsa shkruan fillimisht se përgjithësisht pajtohet me dënimin e Gucatit dhe Haradinajt.

“Ndërsa jam dakord me kolegët e mi, nuk mund t’i ndjek në dy pika diskrete. Ato kanë të bëjnë me: (i) interpretimin e elementit subjektiv të veprës penale të kanosjes, siç përcaktohet në nenin 387 të Kodit Penal të Kosovës 2019 (“KPK”); dhe (ii) arsyetimin specifik të aplikuar për dënimin e dy të akuzuarve për veprën penale pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare duke marrë pjesë në një grup në përputhje me nenin 401 (2), (3) dhe (5) përveç veprës së pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare me kanosje të rëndë, sipas nenit 401 (1) dhe (5). Të dyja pikat,megjithatë, nuk ndikojnë në pajtimin tim të përgjithshëm me rezultatin e Aktgjykimit”, thuhet në opinionin e veçantë të gjykatësit Barthe.

Ai ka mospajtim me dy gjykatësit tjerë në çështjen e interpretimit të veprës penale të kanosjes. Barthe shpehu qëndrimin e tij ndërsa theksoi se “kolegët e mi mendojnë se vepra e kanosjes (neni 387) mund të kryhet me qëllim të drejtpërdrejtë ose eventual”.

“Megjithatë, arsyeja e nevojshme për një vepër penale duhet të jetë e përcaktuar për secilën vepër veç e veç dhe në dritën e formulimit të saj”, shkruan ai.

Por, gjykatësi Barthe është i bindur, sikurse kolegët e tij, se Gucati e Haradinaj kanë pasur qëllim t’i frikësojnë dëshmitarët.

“E thënë kështu, pasi unë dhe kolegët e mi jemi të bindur se të dy të akuzuarit kanë vepruar me një qëllim të tillë, shpjegime të mëtejshme në këtë pikë nuk janë të nevojshme”, shkruan ai.

Ndërsa kolegët e tij konstatojnë se Gucati e Haradinaj e kanë kryer “në grup” pengimin ndaj personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, me arsyetimin e miratuar në aktgjykim nuk pajtohet Christoph Barthe, raporton Express.

“Kolegët e mi kanë shpallur dënimin e të akuzuarit në dy baza ligjore, përkatësisht për pengim personal të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (neni 401(1)) dhe për pjesëmarrje në një grup i cili me veprim të përbashkët pengon ose tentontë pengojë një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare (neni 401(2))”, shpjegon ai, duke shprehur mospajtimin për “pranimin e zbatueshmërisë së të dyja dispozitave”.

“Ndërsa jam dakord t’i dënoj dy të akuzuarit në bazë të dy dispozitave ligjore, me keqardhje nuk mund të pajtohem me arsyetimin e miratuar në Aktgjykim”, shkruan gjykatësi Barthe.

Ai gjithashtu nuk pajtohet që kolegët e tij injoruan rregullat e zbatuara nga gjykatat e Kosovës, pasi thotë se ato gjykojnë të njëjtat vepra dhe se “një qasje e tillë lejon që Aktgjykimi në rastin konkret të përfshihet në traditën juridike të Kosovës”.

Gjykatësi Barthe citon një konstatim të Gjykatës së Apelit në Kosovë lidhur me pengimin e perosnave zyrtarë, që thotë se për këtë vepër penale parashihet burgim nga 3 muaj deri në 3 vjet.

“Meqenëse subsidiariteti i heshtur nuk lind as për arsye të tjera, vij në të njëjtin përfundim si kolegët e mi, megjithatë, përmes një rruge tjetër arsyetimi”, shkruan ai.

Gjykatësi Christoph Barthe ka shërbyer si prokuror publik në Gjykatën Federale Gjermane të Drejtësisë që nga viti 2010, ku është i specializuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe gjenocidit.