Xhevdet Smakiqi

Smakiqi: Pronat e Radoiçiqit u sekuestruan përkohësisht – veturat s’mund të përdoren nga Policia e Kosovës

Xhevdet Smakiqi nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, shpjegoi se pasuria multimilionëshe e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist në shtator të vitit të kaluar në veri të Kosovës, nuk është konfiskuar, por është sekuestruar përkohësisht.

Policia e Kosovës të enjten sekuestroi vilën, restorantin dhe një banesë në pronësi të Radoiçiqit, përgjegjës për sulmin e armatosur në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, derisa një ditë më parë nisi zbatimi i urdhrit ndalues me masë të përkohshme për pasurinë e paluajtshme për rastin Banjska që ndodhi më 24 shtator.

“Konfiskimi është faza tjetër pasi që të përfundojë gjykimi dhe procedura penale – pas vërtetimit të fajësisë së të dyshuarit, atëherë urdhërohet agjencia për sekuestrimin e përkohshëm dhe konfiskimin e pasurisë që kjo pasuri t’i kalojë shtetit të Kosovës, të shiten apo tjetërsohen në llogari të buxhetit të Republikës së Kosovës”, shkroi Smakiqi në një postim të fundit.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, njoftoi të enjten se 31 automjetet e grupit paramilitar serb që autoritetet e Kosovës i sekuestruan vitin e kaluar në veri i janë dhënë për shfrytëzim Policisë së Kosovës. Megjithatë, avokati Smakiqi theksoi se automjetet në fjalë nuk mund të përdoren nga Policia e Kosovës, ashtu sikurse sugjeruan autoritetet.

“Nuk qëndron aspak fakti dhe e vërteta se automjetet e sekuestruara përkohësisht të Radoiçiqit në afat maksimal prej 7 vjetësh, sipas nenit 260 te KPPRK-së, mund të përdoren nga Policia e Kosovës sepse nuk e lejon neni 110 i Kodit të Procedurës Penale”, shtoi ai ndër të tjera avokati kosovar.

Ministrja Haxhiu gjatë ditës publikoi listën e pasurisë së sekuestruar të banditit serb, ku figurojnë mbi 30 vetura, autoblinda të modifikuara, motorë katër rrotësh, një barkë, një vilë, një banesë dhe një lokal, ndërkohë që Radoiçiqi besohet se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtar që ai të vihet para drejtësisë për terrorizëm.

VIDEO BONUS: