Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka falënderuar qytetarët, vizitorët, organizatorët dhe të gjithë kontribuuesit që e bënë të paharrueshme edicionin e sivjetëm të Festivalit të Vjeljes së Rrushit – Hardh Fest 2025.
Për tri ditë me radhë, Rahoveci u shndërrua në kryeqytetin e verës dhe kulturës shqiptare, duke mirëpritur mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe bota. Nën tingujt e muzikës, me ekspozita, degustime dhe aktivitete të shumta, u festua puna dhe tradita e vreshtarëve, bujqve dhe prodhuesve vendas.
Latifi theksoi përkushtimin e Policisë së Kosovës, ekipeve të emergjencave dhe të gjithë punëtorëve që siguruan një festival të qetë e të sigurt, si dhe ekipet e pastrimit që krijuan kushte të denja për mysafirët. Një falënderim i veçantë iu drejtua drejtorit të festivalit, Agron Sokoli, dhe ekipit organizativ, për energjinë dhe punën e palodhur që ngriti Hardh Fest në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
“Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj feste të bukur! Ju presim sërish në Hardh Fest 2026”, ka përmbyllur Latifi mesazhin e tij.







