Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, sot ka bërë homazhe në disa fshatra të kësaj komune për të përkujtuar e nderuar dëshmorët dhe martirët e kësaj zone.

“Me rastin e 26-vjetorit të rënies heroike në fushë të nderit të Heroit të Kombit, veprimtarit kombëtar dhe luftëtarit të orëve të para, Feim Gashit nga Drenoci, të heronjve të luftës e të lirisë, Përparim Thaçi nga Landovica dhe Sakip Bellaqa nga Pataqani i Epërm, sot, me familjarë, bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë dhe miq, bëmë homazhe në Drenoc, Pataqan të Epërm dhe në vendin ku ata ranë në pritën armike, ndërmjet Fortesës dhe Xërxës”, ka shkruar ai.

Po ashtu në 26-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të lirisë, Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi, në afërsi të Celinës, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë, miq e bashkëpunëtorë, Latifi ka bërë homazhe në kujtim të veprës dhe të sakrificës sublime për lirinë e atdheut.

“Milaimi dhe Xhevdeti, të dy bashkë, janë gurë të çmuar në muret e kalasë së luftës për çlirimin e atdheut. Ata janë krenaria e fshatit Dejnë, janë shija e veçantë e batalionit tonë, janë rreze drite e trevës së Anadrinit, janë gjaku ynë që as nuk falet dhe as nuk shkelet. “Stanet e Mullabazit”, në kodrat afër fshatit Celinë, është vendi ku ata u përjetësuan, në mëngjesin e 27 majit 1999. Rënia e tyre, në atë fundmaj, e bëri edhe më të shtrenjtë dhe më të dashur lirinë e këtij trualli, të cilën UÇK-ja po ia jepte fitores që po afrohej”, ka shkruar kryetari i Rahovecit.

Latifi po sot ishte edhe në në Brestoc, në përvjetorin e 26-të të rënies, ai ka nderuar kujtimin për dëshmorët Alajdin Elshani dhe Xhevat Elshani, që u përjetësuan në luftimet me forcat serbe, më 28 maj 1999, si dhe kujtimin për Selim Berishën, i rënë më 27 maj 1999, pasi u fut në bunkerin e forcave armike.

“Tashmë dihet se liria duhet ujitur me gjakun e bijave e bijve më të dashur, sepse kështu ka qenë gjithmonë. Mirëpo, flijimet janë dëshmi e përkushtimit e të gatishmërisë, po ashtu dëshmi e pjekurisë dhe e synimit tonë historik. Me veprën dhe rënien e tyre, dëshmorët nderuan pushkët e lirisë, qëllimet dhe idealet për të cilat luftuan dhe u përjetësuan në faqet e ndritura të historisë, Selimi, Xhevati dhe Alajdini si dhe dëshmorët e kombit, kudo që ranë për lirinë e atdheut”, ka shkruar ai. /Ballkani.info/