Slogani i javës së parasë në Shqipëri, “Tepër i ri për të folur me lekë të vjetra”

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe partnerë të tjerë, do të nisin eventin “Java e Parasë 2019”, nga datat 25-31 mars, nën sloganin “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetra”.

Edhe këtë vit, Java e Parasë ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht. Gjatë kësaj feste mbarëglobale, partnerë të shumtë rreth e qark tij, nën koordinimin e Child and Youth Finance International, do të organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë financiarisht fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

Ky është viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë bëhet pjesë e këtij kremtimi, duke synuar si përherë të ofrojë një program sa më interesant e tërheqës për përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh në aktivitetet tona edukuese.