Mbrojtësi i Nacionalit, Juan Izquierdo, u rrëzua në fushë pa ndjenja në minutën e 84-të të ndeshjes së Copa Libertadores kundër Sao Paulos dhe mjekët e ndihmuan menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë.

Shokët e skuadrës u tronditën plotësisht nga ajo që i ndodhi 27-vjeçarit dhe shumë prej tyre shtrëngonin kokën.

Një ambulancë u desh të futej në fushë për ta transportuar sa më shpejt në spital lojtarin, ndërsa ndeshja është ndërprerë për dhjetë minuta.

🇺🇾⚽🇧🇷 | El jugador uruguayo Juan Izquierdo, defensor del Nacional, se descompensó en pleno partido contra el São Paulo en el Morumbí, durante la Copa Libertadores. Actualmente, Izquierdo se encuentra en cuidados intensivos y lucha por su vida. pic.twitter.com/CrKN4LKX9t

— Carlos alberto Pedeaña villeras (@PedeanaCarlos) August 23, 2024

Një video tronditëse që tregon momentin kur Izquierdo rrëzohet dhe një shok i skuadrës përpiqet ta mbajë është përhapur edhe në rrjetet sociale

Pas ndeshjes mbërriti lajmi i mirë se futbollisti nuk ka pësuar infarkt, por ka pësuar aritmi.

“Juan Izquierdo pati një rrahje të çrregullt të zemrës gjatë ndeshjes kundër Sao Paulos”, njoftoi faqja zyrtare e klubit Nacional.

Nga spitali ka telefonuar edhe presidenti i klubit, Alejandro Balbi, i cili foli për gjendjen e lojtarit.

“E vunë nën qetësues dhe e stabilizuan. Është përjashtuar një atak kardiak, por me sa duket është një infarkt i lehtë”.

“Mjekët thonë se duke qenë se është sportist dhe i ri, ka shumë mundësi që gjithçka të kthehet në normalitet, por ne tani duhet të presim hapat e ardhshëm të të gjitha llojeve: neurologjike dhe kardiake, sipas asaj që na thanë mjekët”, tha Balbi për El Pais.