“Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024, duke filluar me testimin, sipas Udhëzimit 266, në vagonët në të cilët është kryer Riparimi i Mesëm”, thuhet në një raport.
Dikur, nga Prishtina për në Maqedoni, qytetarët e Kosovës i shfrytëzuan vagonët për të ikur nga tmerri që po e përjetonin nga aparati shtetëror serb.
27 vjet pas, vagonët që i menaxhon shteti i Kosovës i riparon në Serbi.

“Është mirë me i tregu popullit se me pare të popullit janë renovuar në Serbi” – ky koment në faqen e Ministrisë së Ekonomisë i ka kushtuar jo pak një punëtori të Ndërmarrjes Publike TrainKos, që është nën varësi të Ekonomisë.

Asdren Ademi, komentin e kishte bërë në korrik, kur Ministria informoi për vënien në funksion të disa vagonëve të restauruar.
Menjëherë ka reaguar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Statovci.
Në një email të siguruar nga VOX Kosova, Statovci u kërkon vartësve të tij që ta marrin punëtorin Ademi në pyetje për komentin.
Kryeshefi urdhëron që, deri në kryerjen e procedurave, Ademit t’i ndalohet marrja e pushimit ditor apo vjetor.

Por, duket se Ademi kishte të drejtë.
Të paktën, sipas një dokumenti të kompanisë, që thotë se ndërmarrja ishte në vizitë në Serbi dhe vagonët i renovoi atje.
“Më datën 06.10.2024 kemi bërë udhëtim për Serbi në punëtori remontuese Shin Voz d.o.o., në qytetin e Zrenjaninit të Serbisë.
Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024, duke filluar me testimin, sipas Udhëzimit 266, në vagonët në të cilët është kryer Riparimi i Mesëm (R.M.).
Është konstatuar se vagonët e poshtëshënuar janë të dy (2) serive”, thuhet në një raport që e ka siguruar VOX Kosova.








