Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar rreth ngjarjes së fundit në Pragë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ademi po ashtu ka shprehur se FFK-ja do të mbështesë lojtarët dhe do të jenë gjithmonë afër me kapacitetet dhe mundësitë e veta.

Ademi, madje ka thënë se do të ankohet rreth kësaj që ndodhi të shtunën e kaluar në ndeshjen Sparta Pragë-Banik Ostrava, ku tifozët vendas shpalosën flamuj me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

“Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit në kampionatin çek, i cili prek dhe sfidon identitetin tonë shtetëror dhe është fyes ndaj futbollistëve tanë. Ky veprim është i papranueshëm dhe nuk përkon me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë”

“U bëj thirrje futbollistëve tanë që përfaqësojnë Kosovën me krenari në klubet e tyre, që të vazhdojnë të mbeten të përkushtuar dhe profesionistë, duke mos u ndikuar nga provokime të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë”

“Në këtë frymë, u drejtohem drejtuesve të klubit Sparta Pragë, si dhe mikut tim Petr Fousek, president i federatës çeke, duke u kërkuar që t’i ndalojnë këto provokime dhe të mbrojnë futbollistët shqiptarë, të cilët janë shembull i profesionalizmit dhe angazhimit në fushën e blertë”

“Me këtë rast u them Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit, Qazim Laçit dhe Indrit Tucit; Jini krenarë për kombin dhe shtetet që përfaqësoni. Shqipëria dhe Kosova janë faktorë të rëndësishëm në futboll dhe profesionalizmi i juaj do ta bëjë futbollin tonë të jetë primar në Evropë.”, ka shkruar Ademi.