Një varg zhvillimesh të ndryshme e të rëndësishme politike kanë ndodhur gjatë kësaj jave, dhe po e shtrijnë veten edhe në javën që nis nesër. Periskopi në këtë artikull ka përmbledhur dhe komenton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme.

Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e bëri vizitën e parë jashtë shtetit në Tiranë. Por, kjo vizitë ishte absolutisht e tmerrshme. Kurti u prit keq dhe nuk u nderua nga shteti shqiptar, e nga kryeministri i këtij vendi, z.Edi Rama, i cili nuk ngurroi që t’i shprehte haptas e në sy mos-pajtimet e tij, e po ashtu të shprehte një çehre tepër të ngrysur gjatë gjithë takimit.

As Kurti në anën tjetër nuk ishte aspak në qejf. Ai menjëherë pas vizitës te Rama anuloi vizitën te kryebashkiaku i Tiranës, z.Erion Veliaj, ndërsa nga fjalët e tij bëri jehonë vetëm kjo e mëposhtmja:

“Edhe një orë bëhet një javë që unë jam kryeministër i Kosovës,”

Se çka mund t’i ketë shërbyer një fjali e tillë z.Kurti është e vështirë për t’u kuptuar, por qëndrimi i tij në Tiranë dhe fjalët patetike nacionaliste nuk lanë shije aspak të mirë.

Ai prezantoi idenë e një “makro-shengeni shqiptar” në tentim për të refuzuar në mënyrë të sjellshme idenë e Schengenit Ballkanik. Por, kjo mënyrë e sjellshme iu kthye tepër keq nga Rama, që ishte i pasjellshëm e i vendosur në qëndrimet e tij.

Kurti në fakt nuk ia doli të ofronte asnjë argumentim për mbështetjen e këtij termi të përçudshëm, e po ashtu as nuk përmendi barrierat jo-tarifore shqiptare që vazhdojnë t’i dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit kosovarë. Por, kjo zmbrapsje “patriotike” nga Kurti nuk do të jetë e vetmja. Periskopi madje ka parashikura se Kurti do të vazhdojë t’i shkelë qëndrimet e tij, dhe një nga këto qëndrime të shkelura do të jetë edhe ideja e “Schengenit Ballkanik” të cilën do ta mbështes pas disa javësh apo muajsh.

Pas kësaj vizite, Kurti ishte në intervistë te z.Adriatik Kelmendi. As kjo intervistë nuk ishte siç e kishte planifikuar kryeministri ynë. Kjo sepse, Kelmendi ishte më i sertë se që mund ta ketë imagjinuar Kurti, dhe nuk hezitoi t’i përmendte një nga një shumë prej qëndrimeve të ndryshuara nga ai dhe partia e tij.

Ky intervistim irritoi shumë mbështetës dhe zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes. Ishte Elvis Hoxha ai që e quajti “të cekët”, “cinik”, e “dinak” gazetarin, ndërsa Sami Kurteshi tha se pyetjet ishin bërë në formën policore. Asociacioni i Gazetarëve reagoi ndaj këtyre sharjeve e linçimeve.

Dhe, ndërsa Kurti me Thaçin ishin në Mynih duke marrë pjesë në një konferencë sigurie në Mynih, ish këshilltari i Thaçit dhe mbështetësi i flaktë i Kurtit, z.Tomë Gashi, u kap nga Periskopi duke e bërë një gjest të pahijshëm e çnjerëzor. Ai po i bërtiste një lypësi në shesh dhe më pas i shqelmoi paratë të cilat ia kishin dhënë prishtinasit si lëmoshë.

Kjo ishte një skenë e zakontë e një pasaniku që nuk duron t’i prishet qetësia as për pak sekonda nga një lypës e nga të tjerë varfanjakë. Gashi është një avokat që nuk di as shkrim-lexim në gjuhën amtare, edhe pse është avokat dhe njohja e gjuhës amtare është domosdoshmëri për të ushtruar profesionin.

Policia e Kosovës nuk ka marrë masa ndaj këtij njeriu.

E ndërkohë, në Mynih u nënshkrua një tjetër marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja për hekurudhat. Natyrisht, edhe prapa kësaj marrëveshjeje qëndronte ambasadori amerikan në Gjermani, z.Richard Grenell.

Marrëveshja u kundërshtua nga Kurti dhe Vetëvendosje ndërkaq u përkrah nga LDK-ja që është partneri tjetër qeveritar.

Për ta përfunduar javën me bujë, u përkujdes një tjetër deputete e Kuvendit të Kosovës. Ishte zonja Fatmire Mulhaxha Kollçaku e cila shpërndau një deklaratë të një analisti serb ku fyhej lufta e UÇK-së, dhe mburrej Kurti i cili nuk kishte “dosje për krime lufte të bëra si pjesë e UÇK-së.”