Skandal i ministri Abrashit. I infektuar me COVID-19 shkon në Podujevë për të bërë fushatë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili ditë më parë ka dalë pozitiv me COVID-19, ka thyer izolimin dy javor.

Abrashi, më 18 nëntor nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka  njoftuar se është infektuar me COVID-19, teksa sot ai ka qenë në një vizitë zyrtare në Podujevë, ku po ashtu ka mbajt edhe një konferencë për media.

“Pas shfaqjes së disa simptomave, jam testuar për COVID 19 dhe kam rezultuar pozitiv. Me shëndet jam mirë dhe nuk kam ndonjë komplikim. Ju lutem keni kujdes dhe përmbahuni masave kundër COVID 19”, kishte shkruar Abrashi nëntë ditë më parë.

Ndërsa sot në Podujevë, përveç që ka thyer masën e izolimit duke dalë nga shtëpia pa i bërë 14 ditë, ai është parë edhe pa maskë dhe distanca duket se nuk është respektuar.

“Bashkë me kryetarin, Nexhmi Rudari dhe ministrin Agim Veliu, vizituam punimet në asfaltimin e rrugës Prishtinë – Podujevë. Pjesa e mbetura nga Lluzhani deri në kyçje të autostradës në Besi, do të tenderohet ashtu që punimet të fillojnë në pranverë”, ka njoftuar Abrashi në Facebook, ku ka shpërndarë edhe disa fotografi nga atje, shkruan Insajderi.

Për këtë veprim, Abrashi mund të dënohet me gjobë nga 250 deri në 1 mijë euro, pasi që, kjo thuhet qartë në neni 35 të  ligjit antiCOVID.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 250€ deri 1.000€, për kundërvajtje: a) nëse refuzon të hospitalizohet dhe izolohet në institucionin shëndetësor, përkatësisht në objektin e caktuar për këtë qëllim kur është sëmurë ose kur dyshohet se është sëmurë nga sëmundja e caktuar ngjitëse sipas nenit 17, të këtij ligji”, thuhet në ligjin antiCovid.