“S’ka vota” | Si dështuan Kurti e VV-ja disa herë për të dërguar dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese?

Lëvizja Vetëvendosje, jo rallë herë, ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese sa ishte në opozitë. Madje, anëtar të kësaj partie përmes paraqitjeve në media, shpeshherë edhe konfrontoheshin në distancë me gjyqtarët e kësaj gjykate, duke i akuzuar ata për njëanshmëri dhe mungesë të profesionalizmit. Ndonëse i kanë bërë dy vite në qeverisje, pushteti aktual nuk ka arritur të kompletojë me gjyqtarë Gjykatën Kushtetuese, që është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm në një shtet demokratik.

Tash kur duhen votat e tyre në Kuvend, për të mbushur vendet vakante në Kushtetuese, VV-ja s’po ja del të kompletojë deri në fund këtë proces, përkundër që e ka shumicën në “tempullin e demokracisë”. Nuk dihet nëse bëhet fjalë thjesht për moskoordinim të deputetëve, apo nuk po arrijnë ta “shtyjnë” përpara kandidatin e preferuar.

Fillimisht, në vitin 2021, duheshin edhe dy gjyqtarë, për t’u kompletuar ekipi i Kushtetueses. Pas 3 përpjekjeve të dëshutara, njëri vend i lirë në Kushtetuese është zgjedhur. Enver Peci, ish kryetar i Gjykatës Supreme, i siguroi votat e deputetëve në Kuvend, anipse nga shumëkush nuk është parë si një nga favoritët, për faktin se bënte pjesë në maje të sistemit të drejtësisë, të cilin VV e kishte kritikuar ashpër.

Megjithatë, Peci për dallim me disa figura “të reja”, arriti t’i siguroj votat e Kuvendit, e ta marrë bekimin e presidentes, Vjosa Osmani.

Me të, Gjykata Kushtetuese tashmë ka 8 gjyqtarë. Duhet edhe një. Vetëvendosjes deri tash i ka dështuar ky proces tri herë.

Vetëvendosje pa vota…
Kuvendi i Kosovës në mungesë të votave të nevojshme nuk ka arritur ta përzgjedhë kandidatin e të dytë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në seancën e 24 nëntorit të vitit të kaluar.

Në raundin e parë, me 66 vota, kandidati Enver Peci u votua për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kandidatët tjerë nuk ia dolën të grumbullonin votat e nevojshme për pozitën e dytë të gjyqtarit në Kushtetuese.

Në raundin e tretë kur nevojiteshin 46 vota, dy kandidat siguron vetëm nga 30 sosh. Bardh Bokshi e Dukagjin Abdyli kanë siguruar vetëm nga 30 vota, pra numër i pa mjaftueshëm për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar nga komisioni të bëjë publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për gjyqtar në këtë Gjykatë.

“Numri i nevojshëm i votave për tu zgjedhur në raundin e tretë ka qenë 46 vota, asnjëri prej kandidatëve nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave. Kërkohet nga komisioni të marrë vendimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”- tha Konjufca.

Ndryshe, paraprakisht koalicioni qeverisës kishte dështuar në disa raste për të dërguar njerëzit e tyre të preferuar në Kushtetuese apo për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare.

Çka thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese?

Në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, specifikohet se duhen 9 gjyqtarë, që përbërja të jetë e plotë.

“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë (10) vjet përvojë profesionale përkatëse. Kualifikimet e tjera përkatëse rregullohen me ligj. Parimet e barazisë gjinore do të respektohen.” – thuhet aty.

Ata zgjedhen për një mandat 9 vjeçar, pa mundësi që të rizgjedhen më.

Zajednica / Pse po gënjen Kurti që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të vdekur Asociacionin?
7 nga 9 gjyqtarët e Kushtetueses, mund të zgjedhen nga miratimi i dy të tritave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm në sallë dhe që votojnë. Ndërsa dy të tjerë, mund të zgjedhen vetëm pas miratimit të dy të tretave të deputetëve që janë të pranishëm e që votojnë, por edhe me pajtimin e shumicës së deputetëve që mbajnë venden e garantuara ose të rezervuara.

“Vendimi për të propozuar shtatë (7) nga gjyqtarët, varet nga miratimi i dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Vendimi për të propozuar dy (2) gjyqtarët e tjerë, merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, por që mund të bëhet vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar ose garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.” – thotë ligji./nacionale