S’ka të ndalur burri i ministres Haxhiu, targeton gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Alban Krasniqi, anëtari i partisë së Albin Kurtit dhe burri i ministres së Drejtësisë, brenda 24 orëve ka publikuar 4 reagime që kanë target Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Krasniqi fillimisht ka paralajmëruar revoltë qytetare nëse Kushtetuesja do të marrë një vendim në favor të presidentit, Hashim Thaçi, për dekretin që ka nominuar Avdullah Hotin e LDK’së për kryeministër.

Ndërkohë pas një reagimi të tillë, burri i ministres ka filluar edhe targetimin e gjyqtarëve të Kushtetueses veç e veç.

Ai ka përmendur emrat e gjyqtares Selvete Gërxhaliu Krasniqi dhe Safet Hoxhës, duke thënë se nuk do të lejojnë që këta gjyqtarë bashkë me bashkëpunëtorë të “shkarravisin mbi kushtetutë”.

Burri i ministres Haxhiu madje ka thënë se nëse emrat e përmendur do të provojnë të bëjnë ndonjë veprim siç e ka quajtur “hyrje llugave” atëherë sheshet e Prishtinës do të vërshohen.

“Nuk do lejojmë që Safeti, Selvetja&Co të shkarravisin mbi kushtetutë, mbi demokraci…mbi jetën tonë! Nëse ata hyn llugave, ne vërshojmë sheshet! Deri në dorëheqje! Deri në zgjedhje! Derisa demokracia të triumfojë!”, ka shkruar Krasniqi.