Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde është ndarë i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës gjatë pjesës së parë në humbjen 3-4 ndaj Real Betisit.
Lionel Messi u rikthye nga lëndimi në krahë që e pësoi 3 javë më parë në ndeshjen me Sevillan, teksa edhe 2 golat e realizuar nga ylli argjentinas nuk mjaftuan për Barcelonën ta evitojë humbjen në “Camp Nou” përballë Betisit.
Kjo ishte hera e parë që katalanasit pësojnë 4 gola në shtëpi që nga viti 2003 në humbjen 2-4 ndaj Deportivo La Corunas, me Valverden që ka kërkuar përmirësime pas pauzës për kombëtaret.
“Ne nuk arritëm të riktheheshim në lojë për asnjë moment. Nuk ishim të mirë në pjesën e parë dhe ata dolën të avantazhuar nga ky fakt. Paguam shtrenjtë për paraqitjen tonë në pjesën e parë. Nuk filluam mirë dhe na mungon diçka në përgjithësi. Na mungon freskia në finalizimin e rasteve dhe na duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Për të analizuar situatën, skuadra duhej të reagonte më ndryshe”, theksoi Valverde.
I inkuadruari në lojë në pjesën e dytë, Arturo Vidal i cili shënoi edhe një gol mendon se duhet të përmirësohen ndjeshëm nëse synojnë triumfin në La Liga dhe Champions League.
“Ne mbetim lider, por duhet t’i përmirësojmë shumë gjëra për të fituar La Ligan dhe Champions Leaguen. Ndeshja filloi keq dhe ata i shfrytëzuan dy mundësitë që i kishin. Sidoqoftë skuadrat nuk mund të vijnë këtu dhe të shënojnë 4 gola”, përfundoi Vidal.







