Jashtë Championsit

Sipas Spallettit frika dhe tensioni ndikoi në eliminimin e Interit

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti ka thënë se skuadra e tij nuk ishte në gjendje ta ruajë qetësinë duke mos arritur të menaxhojë si duhet frikën dhe tensionin.

Goli i Mauro Icardit barazoi takimin ndaj PSV Einhovenit, por kjo pikë nuk ishte e mjaftueshme për Interin, për shkak se në ballafaqimin tjetër të grupit Tottenhami mori një pikë kundër Barcelonës në “Camp Nou”.

“Nuk ishim në gjendje të ruajmë qetësinë, pavarësisht faktit se gjithçka ishte e mundur. E humbëm topin, nuk ishim të organizuar taktikisht dhe i lejuam PSV-së disa kundërsulme të rrezikshme. Derisa frika rritet, e humbni idenë e kontrollimit të ndeshjes. I kishim rastet tona për të shënuar por nuk e kishim qasjen e duhur në ato momente. Kjo ndikon në anën tonë psikologjike, pas golit të pësuar kishim një qasje të çmendur. Është e thjeshtë që tani të themi se mund të bënim më mirë por edhe njëherë tjetër lejuam që tensioni të na kaplojë pastaj nuk arritëm të kishim situatën nën kontroll”, u shpreh Spalletti.

Luciano Spalletti tregoi se kishte arritur një marrëveshje me UEFA-në për të njoftuar për rezultatin e ndeshjes tjetër, mes Barcelonës dhe Tottenhamit.

“Natyrisht se turma reagon për çdo ndryshim rezultati në ndeshjen tjetër dhe lojtarët shikojnë përreth për të kuptuar se çfarë ndodhi. UEFA më pyeti nëse dëshiroja të kisha edhe rezultatin e ndeshjes tjetër në ekran dhe unë thashë po. Një skuadër si Interi duhet ta ketë forcën mentale për t’u përballur me këtë situatë”, përfundoi trajneri i Interit.