Sipas Rivaldos, Barcelona me Griezmannin është favorite për Ligën e Kampionëve

Rivaldo beson se Barça është favoriti numër një për të triumfuar në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit 2019/20.

Barcelona ka forcuar repartin e sulmit me sulmuesin francez, Antoine Griezmann, dhe legjenda e Brazilit, Rivaldo, mendon se kjo rrit edhe më shumë shanset e katalunasve për të triumfuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Griezmann iu bashkua Frenkie de Jongut si transferimet më të mëdha të verës, derisa raportohet se rrugës për t’iu bashkuar atyre është edhe Neymar Junior.

“Favorit në Champions? Barcelona është gjithmonë favorite, me Griezmannin edhe më shumë do të jenë. Është e kuptueshme se me një lojtar si ai shanset për diçka më shumë janë më të mëdha”, tha Rivaldo.

“Kjo do të thotë, pa asnjë dyshim, fitimi i Champions League ose së paku arritja në finale”.

“Këto investime gjithmonë shtojnë presionin dhe nëse Griezmann dëshiron t’i shmanget dyshimeve për të, është e rëndësishme që ai të dijë të menaxhojë situatën dhe të luajë futbollin e tij më të mirë për të justifikuar shpenzimet”, shtoi mes tjerash legjenda e Barcelonës.

Griezmann erdhi në “Camp Nou” nga Atletico Madridi, pasi Barcelona pagoi klauzolën e lirimit 120 milionë euro.

Për pesë sezone me Atletico Madridin, 28-vjeçari ka bërë 257 paraqitje dhe ka shënuar 133 gola – 20 + çdo sezon.