Sipas Mourinhos, Manchester United duhet ta mbajë De Gean

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ka zbuluar se portieri spanjoll David De Gea është i lumtur të qëndrojë te “Djajtë e Kuq” dhe të gjitha palët janë afër arritjes së marrëveshjes.

Trajneri portugez beson se United duhet t’i mbajë lojtarët e kalibrit të De Gea për të konfirmuar identitetin e tyre si një prej klubeve liderë në botë.

Kontrata e De Geas përfundon në fund të këtij sezoni derisa raportohet se do të rinovohet automatikisht edhe për një vit, kurse për portierin spanjoll të interesuara kanë qenë PSG dhe Real Madridi, me “Los Blancos” që dështuan ta transferojnë 28 vjeçarin në vitin 2015 për shkak të mungesave të dokumentacionit.

“De Gea dëshiron të qëndrojë ashtu sikur edhe unë. Ai ka nivelin që Manchester United ka nevojë. Nëse dëshirojmë të jemi United duhet të kemi lojtarët më të mirë në botë. Agjenti i tij dëshiron të njëjtën gjë me të, nuk është manipulativ si të tjerët. Ne kemi portierin më të mirë në botë, dhe kam ndjesinë se gjithçka do të mbyllet me sukses”, tha Mourinho.

De Gea u lavdërua për super pritjen që bëri në ndeshjen kundër Young Boysit në Champions League por Mourinho nuk mendon se ish gardiani i Atletico Madridit pati paraqitje të jashtëzakonshme sepse sipas tij kishte shumë pak kontakte me topin si rrjedhojë e lojës së mirë të Unitedit.