Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar lehtësisht Bullgarinë kundër Kosovës në përballjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, e cila do të zhvillohet sonte në Sofje.
Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, Bet365, e sheh Bullgarinë si favorite pasi i ka vënë kuotën 2.45 për të fituar, derisa fitores së Kosovës i vë kuotë më të lartë, 3.25. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.20.

Bet365 e kishte favorizuar bindshëm Malin e Zi në përballjen e së premtes në Podgoricë, e cila u mbyll pa fitues 1-1 edhe pse Kosova ishte skuadër më e mirë në fushë.
Bullgaria e pret sonte Kosovën në stadiumin kombëtar Vasil Levski në Sofje, në një ndeshje të rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.
Verdhekaltrit vijnë nga një barazim zhgënjyes me Malin e Zi të premten në Podgoricë dhe kanë udhëtuar drejt Sofjes me katër mungesa shumë të rëndësishme, mesfushorët kryesorë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve, dhe futbollistin e tyre më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u dëmtuar rëndë ndaj malazezëve.
“Dardanët” janë të pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit garuese dhe miqësore, tetë fitore dhe pesë barazime, por nuk e kanë shijuar fitoren në tri ndeshjet e fundit, apo që prej triumfit madhështor ndaj Azerbajxhanit në fund të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve.
Bullgaria, ndërkohë, nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit, duke humbur dy herë dhe duke barazuar katër herë të tjera. Për herë të fundit, Kombëtarja bullgare shijoi fitoren në tetor kundër Qipros në Ligën e Kombeve.







