Mauro Icardi e ka lavdëruar shpirtin luftarak të Interit, teksa “Nerazzurrët” shënuan sërish në minutat e fundit për të siguruar një pikë ndaj Barcelonës.

Futbollistët e Spalletit kishin mposhtur Tottenhamin në xhiron e parë me golat e realizuar në minutat e fundit nga Icardi dhe Vecino.

Kapiteni i Interit e cilësoi Barcelonën si skuadrën më të mirë në botë teksa ishte i kënaqur që goli i tij i dha një pikë skuadrës së tij.

“Ne luajtëm kundër skuadrës më të mirë në botë dhe ata shënuan një gol tipik të Barcelonës. Por ne kurrë nuk u dorëzuam, vazhduam të luftojmë dhe e gjetëm golin. Kemi treguar shumë vetbesim gjatë kompeticionit, edhe ndaj Tottenhamit shënuam në minutat e fundit”, u shpreh Icardi.

Sulmuesi argjentinas shtoi se te goli kishte nevojë edhe për pak fat teksa lavdëroi këmbënguljen e Matias Vecinos.

Interi ka 7 pikë në vendin e dytë të grupit B, 3 më shumë se Tottenhami me dy skuadrat që përballen në “Wembley” me 28 nëntor, takim që mund të vendos shumë për skudrën e dytë që do të kalojë grupin, pasi tashmë Barcelona e ka siguruar kualifikimin për në fazën tjetër.